SPAK investon 5.1 milionë euro në teknologjinë e përgjimit – Pajisja “IMSI Catcher” tashmë operacionale

Prokuroria e Posaçme SPAK ka përforcuar kapacitetet e saj operative me blerjen e një prej paisjeve më të avancuara të përgjimit në botë, “IMSI Catcher”, në kuadër të një projekti 5.1 milionë euro për modernizimin e qëndrës së përgjimit dhe rritjen e kapaciteteve teknologjike.

Paisja, që mund të lokalizojë, përgjojë dhe mbledhë të dhëna nga pajisjet telefonike dhe aplikacionet e komunikimit, është prodhuar në Izrael dhe ka hyrë në zyrat e SPAK pas një trajnimi intensiv të skuadrës operative nga ekspertë ndërkombëtarë. Kontrata për blerjen e saj ka vlerë afërsisht 1 milion euro dhe është realizuar përmes një procedure sekrete.

Përveç “IMSI Catcher”, projekti përfshin modernizimin e sistemit të përgjimit, rritjen e kapaciteteve për ruajtjen e të dhënave, dhe shtimin e modulit për interceptimin e të dhënave IP, duke e bërë SPAK një institucion më të pavarur në hetime pa u mbështetur vetëm te Policia e Shtetit.

SPAK synon që kjo teknologji të përdoret kryesisht për hetime të krimeve të organizuara dhe veprime strategjike, ndërsa modernizimi i qëndrës së përgjimit, i menaxhuar nga kompania TBS 96, përfshin edhe përmirësimin e infrastrukturës kompjuterike, laboratorit të ekspertizës dhe blerjen e licencave të avancuara për analizimin e të dhënave digjitale dhe financiare.

Ky hap e vendos SPAK në një nivel të lartë teknologjik dhe operacional, duke i mundësuar prokurorisë të kryejë hetime më të shpejta dhe më të sigurta, në një kohë kur krimi i organizuar po evoluon dhe kërkon mjete të sofistikuara për zbardhjen e veprimeve të tij.