INTERVISTA/ Osmani zbulon ftesën surprizë për Bord: “Erdhi në 2:30 të natës, u nisëm me urgjencë për Davos”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, rrëfeu në intervistë për ‘Çim Peka LIVE’ në Syri TV se ftesa për të marrë pjesë në Bordin e Paqes erdhi në mesnatë, rreth orës 2:30, dhe ishte e drejtuar me emër dhe mbiemër. Ajo nuk kishte planifikuar udhëtimin, por u nis menjëherë pasi u bë e qartë se prezenca e saj si presidente ishte e kërkuar në mënyrë eksplicite.

Gjatë intervistës, Osmani theksoi lidhjet historike të Kosovës me SHBA, duke kujtuar se donacionet amerikane kanë siguruar uniformat e para të ushtrisë, ndërsa policia dhe institucionet e tjera u ndërtuan me mbështetje amerikane.

“Këta kapituj të bashkëpunimit janë hapur pa na u kërkuar asnjë koncesion, as në dialog me Serbinë, as për raporte të tjera të brendshme, as ndonjë gjë tjetër. Pra, ky do të duhej të ishte sukses të cilin e festojmë të gjithë bashkarisht e jo sukses të cilit dikujt i pengon.

Unë e di që i pengon Serbisë, mirëpo nuk do të duhej që afria e madhe me aleatin tonë të lirisë, me aleatin tonë të sigurisë, me uniformën amerikane që sot afër 400 km të kufirit tonë akoma i ruan bashkë me policinë tonë, që kjo të jetë pengesë? Këtë unë nuk e kam pritur asnjëherë në jetën time. Sepse unë kam qenë këtu në këtë zyrë si shefe e stafit të presidentit, edhe kur është shpallur pavarësia, edhe kur i kemi arritur njohjet, edhe kur e kemi ndërtuar këtë ushtri për herë të parë.

Uniformat e para të ushtrisë sonë kanë qenë donacion amerikan. Policia jonë është ndërtuar nga Amerika. Çdo institucion që ekziston sot në Republikën e Kosovës, e ka atë që quhet footprint, e ka shenjën dalluese amerikane.

E deri tek veprimi i fundit, ku presidenti Trump nuk na la vetë, por na fuqizoi, na ftoi në Bordin e Paqes, në një institucion që ka potencial, ka potencial të shndërrohet në një organizatë ndërkombëtare me shumë konsekuencë në marrëdhëniet ndërkombëtare, dhe ku edhe presidentë të shteteve jo njohëse mua më kanë thënë direkt, deri tani nuk e kemi shqyrtuar njohjen, por kjo ndryshon gjithçka. Pse qenka kjo në kundërshtim me interesin e Kosovës? Le të përgjigjet kushdo. Pse qenka gjithë ky pozitivitet, gjithë kjo dritare e hapur për Kosovën, në kundërshtim me interesin e Kosovës?

Ftesa ishte nominalisht me emër dhe mbiemër, dhe në fakt erdhi në 2 e gjysmë të natës. Ne nuk e kemi pritur që do të vijë në ato momente. Unë vërtet nuk e kam pasur asnjë plan që të udhëtoj për Davos, mirëpo në momentin që na është dërguar ftesa, shefja ime e stafit ka qenë në komunikim me stafin e Shtëpisë së Bardhë, dhe pyetja e parë që ua ka bërë ka qenë; meqenëse kryeministri është në Davos, a mund të vijë ai? Ne nuk kemi pasur njohuri se çfarë ceremonie do të jetë ajo.

Neve na ka ardhur ftesa, unë e kam publikuar ftesën duke e vlerësuar gjithnjë, përfshirë edhe tani, që është në interes të madh të Republikës sonë që Kosova të ftohet, mirëpo nuk e kam pasur asnjë plan që të udhëtoj për Davos. Vetëm pasi na është bërë e qartë që kërkohet në mënyrë eksplicite prezenca ime si presidente, vetëm atëherë kemi udhëtuar.

Madje insistohej nga ana e administratës së ShBA-ve që unë të udhëtoj edhe më shpejt, mirëpo unë nuk e anulova sepse atë ditë ishte përkujtimi i presidentit Rugova, përkujtimi i datës së vdekjes së tij, dhe unë nuk desha që të mungoj atë ditë në Kosovë, prandaj kam shkuar në Davos shumë vonë dikur rreth mesnatës, mos gabofsha. Dhe ashtu edhe ka ndodhur, pra, kjo ka qenë kërkesë eksplicite, ka qenë nominale, dhe edhe ftesa për Uashington DC pastaj kur na është dërguar, na është komunikuar që nuk mund të transferohet. Unë kam qenë tërë kohën në komunikim me këshilltarët më të afërt të presidentit Trump. Ishte nominale dhe ata kërkuan që të jem unë aty.

Shefja ime e stafit qysh atë natë, sapo kemi arritur, në fakt ende pa arritur në Davos, sa ishim ende rrugës sepse ishte rrugë e gjatë, menjëherë atë natë ka tentuar që të kontaktojë me stafin e kryeministrit. Nuk kemi marrë përgjigje atë natë sepse kishte shumë pak orë para takimit. Ne ishim të ftuar në ceremoninë e nënshkrimit që të ishim në qendrën ku mbahej ceremonia qysh në orën 9 të mëngjesit, dhe ne kërkuam që sapo të nesërmen shumë herët në mëngjes, pra para se të shkoja unë atje, të komunikojmë me kryeministrin që ta njoftojmë për aq sa kishim informata se shumtën, them sinqerisht, nuk kemi pasur informata përtej ftesës.

Ftesa ka qenë publike, thjesht na është thënë në orën 9 duhet të jeni në këtë adresë dhe pastaj ju japim detaje të tjera. Nuk kemi marrë përgjigje atë natë. Të nesërmen na është komunikuar që kryeministri mundet vetëm në orën 9 e gjysmë, por unë në orën 9 e gjysmë veçse isha në ceremoni.

Dhe pastaj kemi komunikuar disa herë në të pas asaj ceremonie, i kemi ndarë me stafin e tij materialet e nevojshme. Përsa i përket Davos-it, për këtë çështje ne kemi marrë edhe rekomandim me shkrim nga komandanti i FSK-së që t’i japim përgjigje pozitive sa i përket pjesëmarrjes së Kosovës në ISF, International Stabilization Force, pra ka qenë edhe vlerësim paraprak, nuk është që kjo çështje është marrë kokë më vete. Ka qenë vlerësim i përbashkët institucional që është me rëndësi që Kosova të bëhet pjesë e kësaj,” tha Osmani.