Nga bignews
Ajo që ndodhi sot në politikën shqiptare nuk është thjesht një episod i radhës mes qeverisë dhe drejtësisë. Është momenti kur një bashkëjetesë e gjatë dhe e çuditshme mes elitës politike të tranzicionit dhe institucioneve që u krijuan për ta hetuar atë, duket se po merr fund.
Prej më shumë se një dekade, pas reformës në drejtësi, Shqipëria ka jetuar në një lloj ekuilibri të brishtë: politika krijoi institucionet e reja si SPAK dhe GJKKO nën presionin e SHBA dhe BE, por në të njëjtën kohë u përpoq të mbajë mbi to një kontroll indirekt politik, institucional ose narrativ. Një bashkëjetesë e vështirë, ku drejtësia lëvizte me kujdes dhe politika ruante një lloj sigurie se sistemi nuk do të shndërrohej në një kërcënim real për të.
Por duket se ky ekuilibër sot është thyer.
Kur një mazhorancë parlamentare vendos të bllokojë kërkesën e SPAK për një ministër të saj, dhe kryeministri del publikisht në mbrojtje politike të saj duke e vendosur çështjen në një narrativë të madhe historike e morale, kjo nuk është më një debat procedural. Është një përplasje e hapur mes pushtetit politik dhe sistemit të drejtësisë.
Madje edhe justifikimi i përdorur nga Partia Socialiste është simptomatik për krizën ku ndodhet.
Përmes Ulsi Manjës u tha se hetimi ndaj Belinda Ballukut është “politik”, sepse kallëzimi është bërë nga Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi. Pra sipas kësaj logjike, fakti që një kundërshtar politik bën një kallëzim do ta bënte hetimin automatikisht të pavlefshëm dhe të motivuar politikisht.
Por kjo logjikë bie menjëherë në kontradiktë me një fakt shumë të thjeshtë: kallëzuesi i Sali Berishës në SPAK është Taulant Balla, një figurë qendrore e Partisë Socialiste. Dhe kur kjo ndodhi, PS-ja nuk pati asnjë problem me logjikën e “kallëzimit politik”. Përkundrazi, e votoi menjëherë dhe e mbështeti pa asnjë hezitim.
Pra problemi nuk është se kallëzimet janë politike. Problemi është se drejtësia bëhet “politike” vetëm kur prek njerëzit e pushtetit, në tërësi të paprekshmit e këtyre 35 viteve
“Hallexhinjtë” e politikës ka kohë që ç’e thonë në sabah e mohojnë në aksham, por ajo që mbetet për t’u kuptuar është thjesht madhësia e hallit. Sepse kur një pushtet fillon të përdorë standarde kaq të ndryshme për të njëjtën çështje, nuk është më çështje parimi, por çështje frike.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse reagimet janë kaq të forta.
Në thelb, ajo që po shohim sot është një test i madh për modelin e shtetit shqiptar. A do të arrijë sistemi i drejtësisë të funksionojë realisht i pavarur nga politika, apo politika do të gjejë mënyrën për ta nënshtruar përsëri?
Kjo përplasje mund të jetë e gjatë dhe e dhimbshme. Por një gjë është e sigurt: bashkëjetesa e rehatshme mes politikës së vjetër dhe drejtësisë së re nuk ekziston më.
Tani mbetet vetëm një pyetje: kush do ta fitojë këtë betejë?









