Sekretariati i Etikës në Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar kërkesën e opozitës për përjashtimin e deputetit socialist Taulant Balla, pas debatit të ashpër me deputeten demokrate Albana Vokshi gjatë seancës së fundit plenare.
Partia Demokratike kishte kërkuar përjashtimin e Ballës për 60 ditë nga aktivitetet parlamentare, pasi ai iu drejtua Vokshit me një koment të konsideruar ofendues, duke i thënë se “e ka numrin 0900”. Megjithatë, Sekretariati i Etikës vendosi të mos marrë masë disiplinore ndaj tij.
Ndërkohë, i njëjti organ ka vendosur përjashtimin për 10 ditë nga aktivitetet parlamentare të dy deputetëve të opozitës, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pas incidenteve të ndodhura gjatë seancës plenare.i

Sipas socialistëve, gjatë përplasjes në sallë, Balliu tentoi të godiste me grusht Ballën, ndërsa Bardhi është ndëshkuar për gjuhë fyese ndaj deputeteve të shumicës.
Debatet e ashpra në parlament kanë sjellë reagime edhe nga shumica qeverisëse. Partia Socialiste e Shqipërisë ka propozuar një rezolutë për të dënuar gjuhën fyese dhe degradimin e debatit politik në seancat parlamentare.









