Rama mbron Ballukun: Duan ta shohin në burg si gjyshin e saj në komunizëm

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar për situatën e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se ajo meriton respekt për punën e bërë në krye të sektorëve të infrastrukturës dhe energjisë.

Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, Rama deklaroi se nuk është “avokat i askujt” përballë drejtësisë, por theksoi se fajësia apo pafajësia duhet të përcaktohet vetëm nga sistemi gjyqësor.

Kreu i qeverisë renditi disa nga reformat dhe rezultatet në sektorin e ujit dhe energjisë gjatë kohës kur Balluku drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas tij, reforma e ujit reduktoi shoqëritë nga 58 në 14, ndërsa u nis subvencionimi për kategori të caktuara dhe u zhvilluan sisteme digjitale për monitorimin e furnizimit.

Rama theksoi gjithashtu se arkëtimet në sektorin e ujit kanë arritur nivel rekord, ndërsa pagesa e faturave të energjisë ka shkuar në rreth 93 për qind. Sipas tij, janë përfunduar rreth 200 projekte infrastrukturore dhe dhjetëra të tjera janë ende në ndërtim.

Megjithatë, kryeministri kritikoi ashpër gjykimin publik ndaj Ballukut, duke thënë se disa e duan atë në burg pa pasur mundësi të mbrohet.

“Disa njerëz e kanë gjykuar pa gjyq dhe duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, njësoj siç donin të dënuar gjyshin e saj në kohën e komunizmit, pa i dhënë të drejtë të mbrohej”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se prezumimi i pafajësisë është parakusht i çdo procesi gjyqësor dhe vijë ndarëse mes demokracisë dhe diktaturës.