E BUJSHME/ PS bllokon kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut: – Ulsi Manja: “Nuk ka vend për autorizim”

Partia Socialiste e Shqipërisë ka vendosur të rrëzojë kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes dhe ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në raportin e përgatitur nga përfaqësuesit socialistë në Këshillin e Mandateve, u theksua se nuk ekzistojnë kushtet për të dhënë autorizimin për zëvendësimin e masës së sigurimit ndaj Ballukut.

Këtë qëndrim e bëri të ditur edhe deputeti socialist Ulsi Manja, i cili gjatë paraqitjes së raportit deklaroi se shumica ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk përmbush kriteret për miratimin e arrestimit të saj.

Kërkesa e SPAK synonte marrjen e autorizimit nga Kuvendi për të zëvendësuar masën e sigurisë ndaj Ballukut me një masë më të rëndë, që do të çonte në arrestimin e saj. Megjithatë, me qëndrimin e shumicës socialiste, pritet që kjo kërkesë të mos marrë mbështetjen e nevojshme në Parlament.