Mojtaba Khamenei, djali i dytë i udhëheqësit të ndjerë iranian Ali Khamenei, po përmendet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e Iranit pas vrasjes së babait të tij në sulmet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Megjithëse autoritetet iraniane nuk kanë bërë ende një shpallje zyrtare, raportime nga media perëndimore dhe izraelite sugjerojnë se ai është zgjedhur për të marrë postin e liderit suprem.
Në të njëjtën kohë, raportime të fundit kanë nxjerrë në dritë pasurinë e konsiderueshme të tij jashtë Iranit. Sipas një investigimi të Bloomberg, Mojtaba Khamenei zotëron dy apartamente luksoze në zonën elitare të Kensington në Londër, me një vlerë që tejkalon 50 milionë paund.
Pronat ndodhen në katet e sipërme të një ndërtese rezidenciale dhe janë vetëm pak metra larg Pallatit të Kensingtonit, rezidencës zyrtare të Princit William dhe Kate Middleton. Sipas raportimeve, Khamenei i ka në pronësi këto apartamente që prej vitit 2014.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ai zotëron edhe një portofol më të gjerë pronash në veri të Londrës, përfshirë rreth 11 shtëpi luksoze në zonën e Hampstead. Këto prona dyshohet se janë blerë përmes një kompanie të regjistruar në Ishulli i Manit, ndërsa vlera totale e investimeve të tij në pasuri të paluajtshme mund të arrijë në qindra milionë paund.
Fakti që disa nga këto prona kanë pamje direkte nga Ambasada e Izraelit në Londër ka ngritur shqetësime për sigurinë dhe dyshime se mund të jenë përdorur për aktivitete survejimi.
Zhvillimi vjen në një moment tensionesh të larta, pasi autoritetet britanike arrestuan së fundmi disa persona të dyshuar për spiunazh në favor të shërbimeve iraniane të inteligjencës, të cilët dyshohet se monitoronin komunitetin hebre dhe objektiva të tjera të ndjeshme në kryeqytetin britanik.









