Raportime nga mediat në Izrael pretendojnë se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë ndërmarrë për herë të parë një sulm ndaj objektivave në Iran, një zhvillim që mund të shënojë një përshkallëzim të ri në tensionet rajonale.
Sipas këtyre raportimeve, ky veprim shihet nga zyrtarë izraelitë si një sinjal i fortë ndaj regjimit në Teheran. Analistët paralajmërojnë se nëse sulmet iraniane ndaj vendeve të rajonit intensifikohen, ekziston mundësia që Emiratet të përfshihen në konflikt në mënyrë të kufizuar.
Ndërkohë, autoritetet në Abu Dhabi njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kanë zbuluar dhe neutralizuar një valë sulmesh të mundshme nga Irani. Sipas njoftimit zyrtar, janë identifikuar 17 raketa balistike, nga të cilat 16 janë shkatërruar nga mbrojtja ajrore ndërsa një tjetër ka rënë në det. Po ashtu janë zbuluar edhe 117 dronë.
Megjithatë, autoritetet e Emirateve kanë mohuar kategorikisht pretendimet se kanë kryer një sulm në territorin iranian, duke hedhur poshtë raportimet e mediave izraelite.









