Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, është paraqitur këtë të premte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ai hyri në godinën e institucionit duke përshëndetur mediat, por pas rreth një ore qëndrimi brenda, u largua pa dhënë asnjë deklaratë për gazetarët dhe pa sqaruar arsyen e thirrjes së tij.
Burime bëjnë me dije se ndaj Mziut janë depozituar disa kallëzime në SPAK, të cilat lidhen me periudhën kur ai drejtonte Bashkinë e Kamzës. Këto kallëzime kanë të bëjnë me dyshime për shkelje gjatë ushtrimit të detyrës në atë kohë.
Kjo nuk është hera e parë që deputeti demokrat paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Në raste të mëparshme, Mziu ka deklaruar se është thirrur nga SPAK si person që ka dijeni për disa procedura tenderimi gjatë kohës kur ishte në krye të Bashkisë së Kamzës.









