Trump: Udhëheqësi i ri i Iranit mund të jetë fetar, por duhet të sillet mirë me SHBA dhe Izraelin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se nuk është i shqetësuar nëse Irani drejtohet nga një lider fetar apo nga një sistem jo demokratik, për sa kohë udhëheqësi i ri trajton mirë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në rajon.

Në një intervistë telefonike për CNN, Trump tha se lidershipi aktual i Iranit është “neutralizuar” dhe se vendi nuk është më i njëjti si një javë më parë.

“Irani nuk është vendi që ishte një javë më parë. Atëherë ishin të fuqishëm, ndërsa tani janë neutralizuar”, u shpreh ai. 

Presidenti amerikan theksoi se është në kërkim të një lidershipi të ri për Iranin dhe madje tha se dëshiron të ketë rol në përzgjedhjen e tij. Sipas tij, procesi mund të jetë i thjeshtë dhe e krahasoi situatën me zhvillimet në Venezuelë, ku SHBA mbështeti një lidership të ri pas largimit të presidentit Nicolás Maduro. 

Trump shtoi se nuk ka problem nëse Irani drejtohet nga një figurë fetare.

“Nuk më shqetësojnë liderët fetarë. Kam marrëdhënie me shumë liderë fetarë dhe ata janë fantastikë”, deklaroi ai. 

I pyetur nëse kërkon që Irani të bëhet një shtet demokratik, Trump u përgjigj se kjo nuk është domosdoshmëri. Sipas tij, më e rëndësishme është që udhëheqësi i ri të jetë “i drejtë dhe i ndershëm”, të qeverisë mirë dhe të mbajë marrëdhënie të mira me SHBA-në, Izraelin dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme. 

Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet e tij me vendet e rajonit, duke thënë se gjatë presidencës së tij ato janë bërë partnerë të afërt të Uashingtonit. Në të njëjtën kohë, ai e cilësoi operacionin ushtarak kundër Iranit si një sukses të madh dhe pretendoi se forcat amerikane kanë goditur rëndë edhe flotën detare iraniane.

Në deklaratat e fundit, Trump ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Teheranit, duke theksuar se çdo marrëveshje me Iranin duhet të vijë vetëm pas “dorëzimit të pakushtëzuar” të regjimit.