Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, duke theksuar se ky veprim është jokushtetues dhe se për zgjedhje të reja duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese.
Kurti deklaroi se, sipas Kushtetutës, ekziston një afat 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe se ky afat nuk është përmbushur ende.
“Ka afat 60-ditor për t’u zgjedhur presidenti dhe ne kemi qenë në sallën e Kuvendit vetëm 30 minuta. Nuk është përmbushur kriteri prej 60 ditësh, nuk jemi më 5 maj sot, por më 6 mars”, tha ai.
Sipas tij, dekreti i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit nuk është në përputhje me Kushtetutën, pasi kjo kompetencë mund të ushtrohet vetëm në rastet e përcaktuara qartë nga ligji themelor.
“Dekreti për shpërndarjen nuk është kushtetues, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta”, theksoi Kurti.
Ai shtoi se çështja tashmë i është dërguar Gjykatës Kushtetuese, e cila duhet të japë fjalën e fundit nëse vendi duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.
Ndërkohë, presidentja Osmani vendosi shpërndarjen e Kuvendit me arsyetimin se procesi për zgjedhjen e presidentit kishte dështuar deri më 5 mars.
Por Kurti argumenton se procesi nuk ka arritur as në rundin e parë të plotë, pasi deputetët e opozitës dhe një parti tjetër nuk morën pjesë në seancë.
“Ky proces nuk arriti ta konsumojë as rundin e parë, pasi munguan deputetët e opozitës. Deputetët kanë detyrim të jenë në Kuvend dhe të marrin pjesë në votim”, tha ai.
Sipas kryeministrit, vetëm pas dështimit të rundit të tretë të votimit mund të hapet rruga për zgjedhje të reja.









