Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj zhvillimeve politike në vend, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e institucioneve dhe për shtyrjen e Kosovës drejt një cikli të ri zgjedhor.
“Egot politike dhe ambicia e shfrenuar për kontroll total të institucioneve nga LVV po e lënë Kosovën sërish pa institucione dhe po e shtyjnë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, – tha Çitaku.
Sipas saj, përgjegjësia për krizën është e qartë: mungesa e vullnetit për marrëveshje dhe refuzimi i LVV-së për dialog politik të sinqertë.
Çitaku gjithashtu theksoi se situata politike duhet të reflektojë respektin për sakrificën e qytetarëve dhe për lirinë e vendit. “Kur të shkojnë dhe të bëjnë homazhe tek heronjtë tanë, duhet të ndihen të turpëruar. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, – u shpreh ajo.
Reagimi vjen pas shpalljes së dekretit nga Presidentja Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit dhe njoftimin për zgjedhje të parakohshme, një vendim që tashmë ka nisur diskutimet mes partive për caktimin e datës së votimeve.










