Ambasada e Shqipërisë në Berlin është përfshirë në një hetim nga Prokuroria e Tiranës, lidhur me dyshime për disa vepra penale që përfshijnë shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe përvetësim të titullit apo detyrës shtetërore.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, procedimi penal është regjistruar më 8 gusht 2025 ndaj ambasadores së Shqipërisë në Gjermani, Aida Sakiqi, dhe një shtetasi rus të identifikuar si Walter Borisoviç, i cili raportohet se ka qenë i angazhuar pranë ambasadës.
Hetimet kanë nisur pas denoncimeve të bëra nga dy diplomatë të përfaqësisë shqiptare, identiteti i të cilëve është mbajtur konfidencial, si dhe nga informacione të ardhura nga autoritetet gjermane. Prokuroria ka sekuestruar edhe regjistrimet e kamerave të sigurisë në ambasadë për një periudhë dy mujore, të cilat po verifikohen nga policia gjyqësore.
Sipas të njëjtave burime, gjatë hetimeve janë ngritur dyshime për parregullsi në administrimin e fondeve, dokumenteve zyrtare dhe procedurave të emërimit të personelit në ambasadë.

Në fokus të hetimit është edhe punësimi i disa personave të huaj në staf, përfshirë një shtetas rus dhe një shtetase bullgare, çka dyshohet se mund të ketë shkelur rregullat e sigurisë. Raportohet se për largimin e shtetasit rus Walter Borisoviç është dashur ndërhyrja e institucioneve shqiptare të sigurisë dhe e autoriteteve gjermane.
Prania e tij thuhet se është vënë re nga shërbimet e huaja edhe gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në Berlin, kur ai ishte pjesë e stafit që priste delegacionin në aeroport.Ndërkohë, policia federale gjermane po kryen verifikime për të sqaruar rrethanat e dyshuara të shkeljeve në përfaqësinë diplomatike shqiptare.









