Ernest Muçi rrit vlerën në treg – arrin 11 milionë euro dhe kalon Brojën e Dakun

Ernest Muçi vazhdon të rritet në tregun e transferimeve, pasi vlera e tij është përditësuar së fundmi në platformën Transfermarkt. Mesfushori ofensiv tani vlerësohet me 11 milionë euro, duke shënuar një rritje nga 9 milionë euro që ishte më parë.

Me këtë vlerë të re, Muçi ka kaluar në renditje dy lojtarë të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, Armando Broja dhe Mirlind Daku, të cilët aktualisht vlerësohen me nga 10 milionë euro secili.

Në listën e futbollistëve shqiptarë më të vlerësuar, mbi Muçin qëndron Kristjan Asllani me një vlerë prej 13 milionë eurosh, ndërsa vendin e parë e mban Anis Mehmeti me 14 milionë euro, edhe pse ai nuk është grumbulluar në Kombëtare që nga viti 2023.

Sa i përket skuadrës së tij, Trabzonspor, Muçi renditet i treti për nga vlera në treg. Përpara tij ndodhen mesfushori i ri Krist Inao Oulai me 17 milionë euro dhe portieri Andre Onana me 12 milionë euro.

Rritja e vlerës së Muçit konsiderohet si një sinjal pozitiv edhe për trajnerin e Kombëtares shqiptare, Sylvinho, teksa mesfushori pritet të rikthehet në grumbullimin e radhës të ekipit kombëtar.