Irani mohon zyrtarisht raketën drejt Turqisë!
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit ka reaguar zyrtarisht duke mohuar se ka lëshuar ndonjë raketë drejt territorit të Turqisë. Deklarata vjen pasi autoritetet turke njoftuan se mbrojtja ajrore e NATO-s kishte rrëzuar një raketë që po i afrohej hapësirës ajrore turke dhe që dyshohej se vinte nga drejtimi i Iranit.
Në reagimin e publikuar nga ushtria iraniane dhe të cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve Mehr, theksohet se Irani respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Turqisë, duke hedhur poshtë çdo pretendim për një lëshim rakete drejt vendit fqinj.
“Forcat e armatosura të Republikës Islamike të Iranit respektojnë sovranitetin e vendit fqinj dhe mik, Turqinë, dhe mohojnë kategorikisht çdo lëshim rakete drejt territorit të saj”, thuhet në deklaratë.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, raketa kishte fluturuar mbi hapësirën ajrore të Irakut dhe Sirisë përpara se t’i afrohej kufirit turk, ku më pas u interceptua nga sistemi i mbrojtjes ajrore. Autoritetet turke bëjnë me dije se nga incidenti nuk pati viktima apo dëme materiale.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se Ankaraja po ndjek situatën me vëmendje dhe se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në koordinim me aleatët e NATO-s për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen. Ai shtoi se Turqia ka dhënë paralajmërime të qarta për të shmangur çdo rrezik ndaj sigurisë së saj.









