Është tensionuar debati mes Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës lidhur me çështjen e nënshkrimeve për një mandat të dytë të presidentes Vjosa Osmani.
Zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuku, reagoi pasi shefja e stafit të Presidencës, Learta Hollaj, mohoi publikisht pretendimin e Lëvizja Vetëvendosje se i kishte ofruar Osmanit mbështetje dhe nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garë. Hollaj e cilësoi këtë pretendim “gënjeshtër”.
Në kundërpërgjigje, Manxhuku deklaroi se nëse ka dyshime, përfaqësuesit e Presidencës mund të paraqiten në zyrat e Vetëvendosjes për të marrë jo 30, por 33 nënshkrime – tre më shumë sesa kandidati i shpallur nga partia, Glauk Konjufca.
Nga ana tjetër, Hollaj akuzoi LVV-në se po tenton ta përdorë kandidaturën e Osmanit si “formalitet”, me qëllim që më pas të fajësohet opozita për shkuarje në zgjedhje të reja. Ajo theksoi se institucioni i Presidencës nuk mund të trajtohet si mjet për kalkulime politike.
Sipas Kushtetutës, presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual, që në këtë rast përkon me datën 5 mars, ndërsa mandati i Osmanit përfundon më 4 prill. Mosrespektimi i këtij afati përbën shkelje kushtetuese, por nuk sjell automatikisht pasoja juridike si shpallja e zgjedhjeve të reja.









