Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencën për hetimin e zhdukjes së verës së sekuestruar të Ergys Agasit, duke ia kaluar çështjen Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Bëhet fjalë për rreth 600 shishe verë të markave të shtrenjta, të sekuestruara gjatë hetimeve për abuzime me tenderat e AKSHI-t, të cilat dyshohet se janë zhdukur brenda 24 orëve nga vinoteka e vilës së Agasit në periferi të Tiranës.
Në kërkim është shpallur Eno Agasi, i afërm i tij, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të zbardhur rrethanat e zhdukjes së mallrave të sekuestruara.
Gjatë operacionit ishte paralajmëruar se do të verifikohej edhe roli i institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e mallrave, përfshirë strukturat doganore. Sipas përllogaritjeve paraprake, vlera e verës së zhdukur kap shifrën mbi 1.3 milion euro.
Me kalimin e dosjes në SPAK, pritet që hetimi të fokusohet në përgjegjësitë penale dhe zinxhirin institucional që duhet të garantonte ruajtjen e provave të sekuestruara.









