Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Doganave, Besmir Beja, zhvilloi një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, ku në qendër të diskutimeve ishte forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë kufitare dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.
Gjatë bashkëbisedimit, Beja prezantoi prioritetet kryesore të institucionit, duke theksuar modernizimin e shërbimeve doganore, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e klimës së biznesit përmes procedurave më të thjeshtuara. Ai nënvizoi angazhimin e Doganës në luftën kundër kontrabandës, trafikut të drogës dhe korrupsionit, si dhe garantimin e kontrollit efektiv të lëvizjes së mallrave sipas standardeve ndërkombëtare.
Nga ana e saj, VanHorn vlerësoi rolin e Doganës Shqiptare në përballjen me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe në rritjen e të ardhurave buxhetore. Ajo konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e sigurisë kufitare dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Takimi u mbyll me diskutime mbi mundësitë për asistencë teknike dhe shkëmbim përvojash, me synim rritjen e eficiencës së administratës doganore dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme.









