Në Apelin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua seanca e parë në themel për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Trupa gjykuese përbëhej nga relatore Ilirjana Olldashi dhe anëtarët Nertina Kosova dhe Daniela Shirka.
Prokurori Dritan Prençi kërkoi që gjykata të marrë në konsideratë provat e administruara në shkallë të parë dhe të përsërisë shqyrtimin gjyqësor, duke përfshirë edhe rastin e Lefter Kokës, ndaj të cilit ishte shuar masa e arrestit.
Nga ana e tij, avokati i Kokës kundërshtoi kërkesën e SPAK, duke e konsideruar të pabazuar materialisht dhe proceduralisht. Ai theksoi se Koka është dënuar më parë dhe nuk ka pasur asnjë bazë ligjore për risjelljen e provave.
Seanca vijon me shqyrtimin e ankimeve dhe provave të palëve, ndërsa tensioni mes prokurorit dhe mbrojtjes mbetet i lartë.









