Ish-kryeministri i Kosovës dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se disa deputetë të Lëvizja Vetëvendosje i kanë premtuar votën në rast se ai do të kandidonte për president.
Në një intervistë televizive, Haradinaj tha se bëhet fjalë për një numër “të respektuar, jo të vogël” deputetësh, të cilët sipas tij ia kanë shprehur mbështetjen edhe në prani të kolegëve të tyre. “Nëse je në garë, e ke votën time,” – tha ai se i është thënë drejtpërdrejt.
Haradinaj u ndal edhe te çështja e kandidaturës për president, duke shprehur habi që kryeministri Albin Kurti nuk ka propozuar për një mandat tjetër presidenten aktuale Vjosa Osmani.
Sipas tij, Osmani ka qenë pjesë e rëndësishme e fitores së përbashkët elektorale dhe moskandidimi i saj përbën një lëvizje politike të pazakontë. Haradinaj la të kuptohet se ky vendim mund të sinjalizojë një anashkalim politik të rolit të saj brenda shumicës aktuale.









