Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të zhvillojë sot një takim në White House me presidentin amerikan Donald Trump, në një moment delikat për zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Ky është takimi i parë i kreut të Shtëpisë së Bardhë me një udhëheqës të huaj pas nisjes së sulmeve ushtarake kundër Iranit. Edhe pse vizita ishte planifikuar më herët dhe nuk lidhej drejtpërdrejt me operacionet, situata e re në rajon pritet të dominojë agjendën e bisedimeve.
Gjermania nuk ka marrë pjesë ushtarakisht në operacion, por së bashku me Francën dhe Britaninë ka bërë thirrje për përmbajtje dhe për ndalimin e veprimeve hakmarrëse. Në një deklaratë të përbashkët, tre vendet evropiane kanë theksuar se do të mbrojnë interesat e tyre dhe të aleatëve në rajon nëse situata përshkallëzohet më tej.
Nga ana tjetër, Trump synon të koordinojë qëndrimet me Berlinin për zhvillimet e ardhshme dhe për rolin që mund të luajë Evropa në stabilizimin e situatës. Diskutimet pritet të përqendrohen në sigurinë rajonale, balancën e fuqive dhe perspektivën e marrëdhënieve me Teheranin në kushtet e tensioneve në rritje.









