Organizata Muxhahedine e Popullit të Iranit (MEK) ka reaguar pas lajmeve të publikuara në disa media mbi një sulm të mundshëm raketor iranian ndaj kampit Ashraf 3 në Shqipëri, duke i cilësuar ato si pjesë të një fushate propagandistike të orkestruar nga Teherani.
Në një deklaratë përmes zëdhënësit Shahriar Kia, organizata thekson se pretendimet për një goditje me raketa nuk kanë bazë faktike dhe synojnë të krijojnë klimë frike dhe pasigurie në vend.
Sipas reagimit, kjo strategji përbën një “luftë psikologjike” me objektiv nxitjen e shqetësimit dhe kaosit në Shqipëri, në funksion të interesave të regjimit iranian. MEK pretendon se kjo fushatë po zhvillohet në koordinim me persona që i cilëson si agjentë lokalë të Teheranit, me synimin për të rritur jehonën e lajmit.
Organizata shton gjithashtu se, nga pikëpamja teknike, raketat iraniane nuk kanë kapacitetin për të arritur territorin shqiptar, duke e konsideruar të pabazuar çdo aludim për një sulm të tillë.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta rajonale, ndërsa institucionet shqiptare nuk kanë bërë publik ndonjë informacion zyrtar që konfirmon ekzistencën e një kërcënimi konkret ndaj vendit.









