Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara zotërojnë rezerva të mëdha municionesh dhe kapacitete ushtarake që, sipas tij, do t’i lejonin të përballonin konflikte të zgjatura pa kufizime kohore.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump theksoi se SHBA ka një furnizim “praktikisht të pakufizuar” të armëve të nivelit të mesëm dhe më të avancuar, duke shtuar se vendi është “i furnizuar dhe gati për të fituar”.
Në të njëjtën deklaratë, ai sulmoi ish-presidentin Joe Biden, duke e akuzuar për dërgimin e një pjese të konsiderueshme të armatimeve më moderne amerikane drejt Ukrainës.
Sipas Trump, gjatë mandatit të Bidenit u autorizua përdorimi nga Ukraina i raketave me rreze të gjatë veprimi ATACMS, të afta për të goditur objektiva deri në rreth 300 kilometra.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një klimë tensioni të shtuar ndërkombëtar, ku çështjet e furnizimit me armë dhe përfshirjes ushtarake të SHBA-së mbeten në qendër të debatit politik brenda dhe jashtë vendit.









