“Do të godasim çdo bazë amerikane në Evropë” – Ambasadori iranian lëshon paralajmërim të fortë

Ambasadori i Iranit në Spanjë, Reza Zabib, deklaroi se Teherani është i gatshëm të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj bazave amerikane në Evropë, nëse situata e kërkon.

“Do të sulmojmë çdo bazë amerikane në Evropë, nëse është e nevojshme”, u shpreh ai, duke shtuar se Irani është “një vend i aftë të reagojë” ndaj çdo kërcënimi.

Deklarata vjen në një moment përshkallëzimi të konfliktit në Lindjen e Mesme. Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer zjarr, ndërsa raportime për sulme janë regjistruar edhe në Bahrejn, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katar dhe Jordani, çka sinjalizon zgjerimin e përplasjes përtej kufijve fillestarë.

Ndërkohë, kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, konfirmoi se Teherani nuk pranon negociata me Shtetet e Bashkuara në kushtet aktuale.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se SHBA do t’i përgjigjet Iranit me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane, duke e përshkruar reagimin si të pashmangshëm nëse sulmet vazhdojnë.

Sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane nisën më 28 shkurt, me synimin e deklaruar për të frenuar programin bërthamor të Teheranit. Në kundërpërgjigje, Irani ka goditur objektiva në vendet aleate të SHBA-së në rajon, duke rritur frikën për një konflikt më të gjerë me pasoja ndërkombëtare.