E TRISHTE/ Vlorës i shuhet një buzëqeshje – ndahet nga jeta parodisti Mane Lumani

Qyteti i Vlorë është zgjuar me një lajm të trishtë. Është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare aktori dhe humoristi i dashur, Mane Lumani, një nga shtyllat e “Parodistëve të Vlorës” dhe një prej figurave më të spikatura të humorit qytetar ndër dekada.

Pas një beteje të gjatë me sëmundjen, ai u shua në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku prej më shumë se dy muajsh ndodhej në reanimacion. Zemra e tij pushoi së rrahuri, por kujtimi i buzëqeshjes që u fali brezave të tërë do të mbetet i gjallë.

Mane Lumani nuk ishte thjesht një artist. Ai ishte një zë i humorit të hollë vlonjat, një mimikë e paharrueshme në skenë dhe një shpirt i ngrohtë jashtë saj. Me rolet dhe interpretimet e tij, ai arriti të kthejë realitetin në satirë dhe vështirësitë në të qeshura, duke u bërë pjesë e pandarë e kujtesës kolektive të qytetit.

I martuar dhe baba i katër fëmijëve, Lumani do të mbahet mend si njeri i përkushtuar ndaj familjes dhe artit. Sot, skena e humorit në Vlorë është më e varfër, por trashëgimia që ai la pas është e pasur dhe e pavdekshme.

Vlorës i mungon një artist, Shqipërisë i mungon një buzëqeshje.