Dimarco dhe shifra rekord: “Pa tituj, nuk vlejnë asgjë”

Të biesh për t’u ngritur edhe më i fortë. Në finalen e Mynihut në UEFA Champions League, Federico Dimarco përjetoi një nga momentet më të vështira të karrierës. Paraqitja e tij nuk ishte në nivelin e pritshmërive në skenën më të madhe europiane, në një mbrëmje ku edhe pjesa tjetër e skuadrës zikaltër nuk shkëlqeu.

Pas largimit të Simone Inzaghi, trajnerit që i dha besim dhe rol protagonisti, shumëkush mendoi se parabola e Dimarcos do të ishte në rënie. Por mbrojtësi italian ka bërë të kundërtën, duke u shndërruar në një nga lojtarët më vendimtarë të Inter.

Aktualisht, Dimarco konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë për MVP në Serie A, teksa po rishkruan statistikat e kampionatit. Me golin e realizuar ndaj Genoa, ai arriti në kuotën e 20 kontributeve për gol këtë sezon: 6 realizime dhe 14 asistime. Një shifër që barazon rekordin e vendosur nga Massimo Oddo në sezonin 2005/06, si mbrojtësi me më shumë gola dhe asiste në një edicion të kampionatit italian me 20 skuadra.

Me 11 ndeshje ende për t’u luajtur, forma e zikaltërit lë të kuptohet se ky rekord mund të thyhet. Madje, Dimarco është pranë edhe rekordit absolut të asisteve në një sezon të Serie A, të mbajtur nga Papu Gomez me 16 asiste.

Megjithatë, vetë lojtari nuk i jep shumë peshë statistikave personale.

“Objektivi është të ngremë një trofe në fund të sezonit. Nëse këto shifra nuk na çojnë te titujt, atëherë nuk kanë asnjë vlerë. Preferoj të bëj më pak dhe të fitoj kampionatin. Duhet të vazhdojmë kështu”, u shpreh Dimarco pas sfidës me Genoan.

Sa i përket derbit, ai mbetet i fokusuar te hapi i radhës: gjysmëfinalja e Coppa Italia ndaj Como. “Nuk ka mesazhe për të dhënë. Fillimisht mendojmë për Kupën, pastaj për derbin”, përfundoi mbrojtësi zikaltër.