Mediat izraelite dhe agjencia ndërkombëtare e lajmeve po raportojnë se Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka ndërruar jetë dhe se trupi i tij është gjetur, duke cituar një zyrtar të lartë izraelit. Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane për fatin e tij.
Në reagimin e parë, media shtetërore iraniane ka transmetuar një deklaratë të kreut të marrëdhënieve me publikun në zyrën e Khameneit, ku thuhet se “armiku po zhvillon luftë mendore” dhe u bëhet thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm ndaj informacionit që qarkullon.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lënë të kuptohet se Khamenei mund të jetë vrarë gjatë një operacioni të përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit, duke theksuar se sulmet kishin në shënjestër kompleksin e tij në Teheran.
Udhëheqësi Suprem nuk është shfaqur në publik që prej nisjes së operacionit ushtarak. Po ashtu, Ministria iraniane e Kulturës ka përgënjeshtruar raportimet për një fjalim të tij, duke sqaruar se vetëm njoftimet nga kanalet zyrtare shtetërore dhe transmetuesi publik duhet të konsiderohen të besueshme.
Situata mbetet e paqartë dhe e tensionuar, ndërsa zhvillimet pritet të kenë ndikim të rëndësishëm në stabilitetin e rajonit.









