Efekti “Jamal” – Barcelona kryeson Europën në të ardhura nga fanellat

FC Barcelona po korr frytet e investimit te talentet e rinj, me klubin katalanas që është ngjitur në krye të renditjes evropiane për të ardhurat nga shitja e fanellave dhe produkteve zyrtare.

Sipas të dhënave të publikuara nga UEFA, Barcelona ka gjeneruar 277 milionë euro nga merchandising-u, duke lënë pas rivalin e përhershëm Real Madrid (231 milionë euro), si dhe gjigantë të tjerë si Bayern Munich, Manchester United, Arsenal, Liverpool dhe Tottenham Hotspur.

Një rol kyç në këtë sukses financiar ka luajtur shpërthimi i Lamine Yamal. Ylli i rritur në akademinë La Masia, që nga vera e kaluar mban fanellën me numrin 10, është kthyer në një fenomen global dhe në një magnet për shitjet e klubit.

Ndërkohë, rikthimi gradual në stadiumin e rinovuar Spotify Camp Nou pritet të forcojë edhe më shumë stabilitetin financiar të klubit, duke rritur kapacitetin dhe të ardhurat nga dita e ndeshjes.

Pavarësisht largimit të Lionel Messit vite më parë, Barcelona po dëshmon se marka e saj mbetet ndër më të fuqishmet në futbollin evropian – dhe epoka e re duket se ka nisur me Jamal në qendër të projektit.