REAGIM/ “Fitorja është afër” – Djali i shahut optimist pas ndërhyrjes së SHBA: Regjimi iranian drejt rrëzimit: Momenti vendimtar po afron

Djali i shahut të fundit të Iranit, Reza Pahlavi, ka deklaruar se “fitorja përfundimtare” kundër Republikës Islamike është shumë pranë, pas sulmeve të ndërmarra nga SHBA-ja dhe Izraeli ndaj Iranit.

Në një video-mesazh të publikuar online, Pahlavi sugjeroi se zhvillimet e fundit pasojnë thirrjet e tij të vazhdueshme drejtuar presidentit amerikan Donald Trump për të ndërhyrë kundër regjimit iranian. Ai shprehu bindjen se momenti vendimtar për ndryshim është afër dhe theksoi dëshirën për t’u kthyer sa më shpejt pranë popullit iranian për të “rimarrë dhe rindërtuar Iranin”.

Pahlavi, i cili jeton në zonën e Uashingtonit dhe ka mbrojtur idenë e një demokracie sekulare në Iran, u bëri thirrje qytetarëve që në këtë fazë të qëndrojnë në shtëpi dhe të kujdesen për sigurinë e tyre. Megjithatë, ai i ftoi ata të qëndrojnë vigjilentë dhe të gatshëm për të dalë në rrugë në momentin që do të japë sinjalin për “veprimin përfundimtar”.

Megjithëse shihet nga disa si figurë simbolike e opozitës, Pahlavi nuk gëzon mbështetje të plotë mes kundërshtarëve të Republikës Islamike. Situata në Iran mbetet e tensionuar, sidomos pas shtypjes së një kryengritjeje të madhe muajin e kaluar, e cilësuar si një nga sfidat më serioze për regjimin që nga revolucioni i vitit 1979.