Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, publikuan një opinion të përbashkët në gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ku propozojnë një qasje të re për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Në shkrimin e tyre, të dy liderët nuk kërkojnë anëtarësim të menjëhershëm në BE, por sugjerojnë integrim të përshpejtuar të vendeve kandidate në Tregun e Përbashkët Evropian dhe në Zonat Shengen. Kjo, sipas tyre, do të shmangte bllokadat politike dhe “kurthin e vetos” brenda Unionit, pa ndryshuar strukturën vendimmarrëse të BE-së apo duke shtuar komisionerë apo eurodeputetë shtesë.
Ata argumentojnë se një qasje e tillë do të sillte përfitime konkrete për qytetarët dhe do të forconte pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Bashkimit Evropian, duke e paraqitur zgjerimin si një investim me përfitim të ndërsjellë, jo thjesht si akt bamirësie.
Gazetari i FAZ, Michael Martens, thekson se ideja nuk është e re, por Rama dhe Vuçiç janë ndër liderët e parë me peshë që e mbështesin publikisht. Suksesi i nismës do të varet nga serioziteti i trajtimit nga BE-ja dhe shtetet anëtare, në një kohë kur politika e zgjerimit përballet me skepticizëm dhe bllokada të brendshme.
j









