Armëpushim në Ukrainë para zgjedhjeve në SHBA – Zelensky: Ekziston dritare mundësie për paqe deri në vjeshtë

Presidenti i Ukrainë, Volodymyr Zelensky, deklaroi se ekziston një mundësi reale që lufta të përfundojë deri në vjeshtë, nëse shfrytëzohet momenti aktual diplomatik dhe politik.

Në një prononcim të fundit, Zelensky theksoi se muajt në vijim do të jenë vendimtarë për fatin e konfliktit, duke e lidhur zhvillimin e situatës me zgjedhjet e rëndësishme që do të mbahen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj se tani kemi një shans. Shumë gjëra vitin e ardhshëm do të varen nga këta muaj – nëse mund ta përfundojmë luftën deri në vjeshtë. Para zgjedhjeve të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Nëse paqja mund të arrihet, kjo është e mundur tani – ne e kemi këtë dritare mundësie”, është shprehur ai.

Sipas presidentit ukrainas, dinamika politike dhe mbështetja nga SHBA-ja mund të ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e luftës, duke e bërë periudhën aktuale një moment kyç për arritjen e një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje.

Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për zgjidhjen e konfliktit vijojnë.