Jehonë ndërkombëtare shkarkimit të Ballukut – “Reuters”: SPAK e akuzon për abuzime me tenderat; progresi në Drejtësi kyç për integrimin…

Shkarkimi i Belinda Balluku nga kryeministri Edi Rama një ditë më parë ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Agjencia “Reuters” raporton se Balluku përballet me akuza për abuzime me tenderat publik, një çështje që ka nxitur edhe protesta opozitare.

Sipas “Reuters”, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ngriti aktakuzë ndaj Ballukut në dhjetor, me dyshimin se ajo ka ndërhyrë në dhënien e dy kontratave ndërtimi në vitin 2021, me vlerë mbi 200 milionë euro. Parlamenti pritet të vendosë më 5 mars për heqjen e imunitetit të Ballukut, duke i hapur rrugë SPAK për një arrest të mundshëm.

Kryeministri Rama nuk dha arsye konkrete për shkarkimin e saj, i cili erdhi në kuadër të një riorganizimi qeveritar ku u prekën shtatë poste, përfshirë ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Zëdhënësja e qeverisë, Manjola Hasa, tha se Rama kishte paralajmëruar riorganizime më të shpeshta gjatë mandatit dhe se gjatë katër muajve të fundit Balluku kishte refuzuar tri herë dorëheqjen.

“Që prej marrjes së saj të pandehur, forca më e madhe opozitare ka organizuar protesta duke kërkuar dorëheqjen e Ramës. Gjatë tubimeve janë regjistruar përplasje, ku protestuesit kanë hedhur bomba molotov, ndërsa ka pasur të lënduar si nga policia ashtu edhe nga demonstruesit,” raporton “Reuters”.

Shqipëria, që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, përballet me presion nga Brukseli për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Zyrtarët e BE-së ndjekin nga afër mënyrën se si qeveria po i trajton këto çështje, duke theksuar se progresi në këtë drejtim është kyç për integrimin evropian të vendit.