Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, i është drejtuar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me kërkesë për shpalljen e tij të pafajshëm dhe prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm të datës 24 qershor 2024.
Gjici kundërshton dënimin për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion pasiv”, pas skandalit të publikuar në ambientet e Bashkisë Kukës. Ai u dënua nga Shkalla e Dytë me 4 vite e 6 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje të dënimit në 3 vite.
Çështja lidhet me video-skandalin ku u përfshi edhe Alma Kaçi, e cila u dënua me 1 vit e 6 muaj burg për “korrupsion aktiv”.
Më 19 maj 2025, Gjici u lirua nga qelia për arsye shëndetësore dhe po e vuan pjesën e mbetur të dënimit në masën “arrest në shtëpi”. Ai qëndroi në paraburgim dhe burg për rreth 23 muaj.









