Në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamenti Europian, eurodeputeti Michael Gahler deklaroi se vizita e fundit në Shqipëri ofroi një panoramë të qartë mbi situatën në terren, duke theksuar se progresi drejt anëtarësimit në BE duhet të matet me rezultate konkrete dhe jo me deklarata politike.
Gjatë fjalës së tij, ai u shpreh se, pavarësisht një pritjeje pozitive nga ana e kryeministrit, vlerësimi i realitetit duhet të mbetet objektiv, sidomos në raport me kapitujt e negociatave të hapur apo të mbyllur. Sipas tij, thelbësor mbetet zbatimi praktik i reformave dhe rezultatet e prekshme.
Gahler nënvizoi se shqetësimet e ngritura nga organizatat e shoqërisë civile tregojnë për ekzistencën e strukturave të rrënjosura korruptive dhe lidhjeve me krimin e organizuar, të cilat, sipas informacioneve të paraqitura, shtrihen deri në nivelet më të larta të pushtetit.
Ai përmendi si shembull rastin e Belinda Balluku, duke theksuar se, megjithëse Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë u shpreh se SPAK kishte të drejtë të vepronte, mazhoranca refuzoi heqjen e imunitetit. Sipas eurodeputetit, ky veprim ngre pikëpyetje serioze mbi gatishmërinë për të përballur hetime të ndjeshme në nivele të larta.
Në përfundim, Gahler theksoi se Bashkimi Europian duhet të insistojë në zbatimin pa përjashtim të parimit të shtetit të së drejtës dhe në çmontimin e strukturave problematike përpara çdo hapi të mëtejshëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE.









