Alarm në SHBA për avionët Boeing 737 – problem serioz nxehtësia në kabinën e pilotëve

Autoritetet amerikane të aviacionit kanë ngritur alarmin pas dy incidenteve që përfshijnë avionë të prodhuesit Boeing, ku temperatura në kabinën e pilotëve u rrit mbi nivelet e lejuara të sigurisë.

Sipas raportimeve, ekuipazhet janë përballur me vështirësi në uljen e temperaturës përmes procedurave standarde, duke krijuar kushte të rrezikshme për shëndetin e pilotëve. Nxehtësia e lartë në kabinë mund të shkaktojë marramendje, lodhje ekstreme dhe në raste të rënda edhe humbje ndjenjash.

Pas këtyre zhvillimeve, Federal Aviation Administration (FAA) ka nisur hetim dhe ka ndërmarrë masa për 771 avionë që operojnë në SHBA. Bëhet fjalë për modelet 737-8, 737-9 dhe 737-8200, pjesë e flotës 737 MAX, të cilat sipas autoriteteve mund të preken nga një problem elektrik që ndikon në sistemin e kondicionimit të ajrit.

FAA ka urdhëruar kompanitë ajrore të zbatojnë menjëherë masa të përkohshme sigurie dhe brenda 30 ditëve të përditësojnë Manualin e Fluturimit të Avionit (AFM). Kostoja e përditësimit është vlerësuar rreth 85 dollarë për avion, por autoritetet theksojnë se masa është thelbësore për garantimin e sigurisë.

Sipas udhëzimeve të reja, nëse problemi shfaqet gjatë fluturimit, pilotët duhet të planifikojnë ulje në aeroportin më të afërt. Avioni duhet të zbresë në një lartësi maksimale prej 10 mijë këmbësh dhe lejohet vetëm një tentativë për rindezjen e sistemit elektrik. Nëse defekti vazhdon, procedurat për ulje emergjente duhet të nisin brenda dy minutash.

Në situata të tilla, ekuipazhi mund të ndërpresë shërbimet jo thelbësore në bord, si sistemet e argëtimit dhe ndriçimin, për të reduktuar ngarkesën elektrike. Në raste ekstreme, mund të merret në konsideratë edhe hapja e derës së blinduar të kabinës së pilotëve për të lejuar qarkullimin e ajrit, një veprim që zakonisht shmanget për arsye sigurie.

Nga ana e saj, Boeing ka njoftuar se do të kryejë ndryshime në qarqet elektrike të avionëve të prekur, me qëllim parandalimin e përsëritjes së incidenteve dhe garantimin e standardeve më të larta të sigurisë ajrore.