Sot raundi i tretë i bisedimeve SHBA–Iran në Gjenevë – Trump paralajmëron veprime ushtarake nëse dështon marrëveshja

Zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani do të takohen këtë të enjte në Gjenevë për raundin e tretë të bisedimeve indirekte mbi programin bërthamor iranian, në një klimë të tensionuar mes diplomacisë dhe kërcënimeve për përshkallëzim ushtarak.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se preferon një zgjidhje diplomatike, por ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërmarrë veprime ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje. Ai ka theksuar se Uashingtoni nuk do të lejojë që Irani të pajiset me armë bërthamore.

Bisedimet zhvillohen në një moment kur SHBA ka rritur ndjeshëm praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, duke dislokuar mijëra trupa, aeroplanmbajtëse dhe avionë luftarakë. Nga ana tjetër, Teherani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi.

Delegacioni iranian në Gjenevë do të udhëhiqet nga diplomati Abbas Araghchi, ndërsa pala amerikane përfaqësohet nga i dërguari special Steve Witkoff dhe këshilltari presidencial Jared Kushner.

Sipas burimeve diplomatike, në tryezën e diskutimeve do të jenë çështja e pasurimit të uraniumit, rezervat aktuale të materialit të pasuruar dhe mundësia e krijimit të një konsorciumi rajonal për menaxhimin e programit bërthamor. Irani ka refuzuar të ndalojë plotësisht pasurimin, por ka shprehur gatishmëri për kompromis, në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike.

Zhvillimet po ndiqen me shqetësim edhe nga aleatët rajonalë të SHBA-së. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar se çdo marrëveshje duhet të adresojë edhe programin balistik të Iranit.

Raundi i tretë i negociatave konsiderohet vendimtar për të përcaktuar nëse palët do të afrohen drejt një marrëveshjeje të re apo nëse tensionet do të çojnë drejt një përshkallëzimi të rrezikshëm në rajon.