Shqipëria depoziton në SHBA instrumentin e ratifikimit për Kartën e Bordit të Paqes

Shqipëria ka depozituar pranë Qeverisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës instrumentin e ratifikimit të marrëveshjes për pranimin në Kartën e Bordit të Paqes.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në SHBA përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale. Sipas ambasadës, ky hap formalizon angazhimin e ndërmarrë nga Shqipëria, e përfaqësuar në këtë proces nga Kryeministri Edi Rama.

Në njoftim theksohet se depozitimi i instrumentit të ratifikimit përforcon rolin e Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke e pozicionuar vendin si një aktor aktiv në nismat globale për sigurinë dhe dialogun.

Njoftimi i plotë:

Sot, Shqipëria depozitoi pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës origjinalin e Instrumentit të Ratifikimit të “Marrëveshjes për pranimin e Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”.

Ky hap formalizon përfundimisht angazhimin tonë në këtë iniciativë të rëndësishme dhe përfaqëson një tjetër moment domethënës në thellimin e rolit të Shqipërisë në promovimin e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Depozitimi i instrumentit të ratifikimit pranë Qeverisë së SHBA-së përmbyll procedurat kushtetuese dhe i jep fuqi të plotë juridike angazhimit të ndërmarrë.

Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të partneriteteve strategjike dhe ndaj kontributit aktiv në arkitekturën euroatlantike të sigurisë.

Krenarë për miqësinë e qëndrueshme dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.