Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë, duke e lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për “arrest me burg”.
Veliaj kishte kërkuar ndryshimin e masës me argumentin se situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, duke pretenduar se nuk ekziston më rreziku i prishjes apo manipulimit të tyre. Ai kishte ofruar gjithashtu garanci pasurore si alternativë ndaj masës aktuale.
Gjykata e Posaçme e Apelit, me trup gjykues monokratik të kryesuar nga gjyqtarja Nertina Kosova, vendosi të miratojë vendimin nr. 118, datë 01.02.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, duke rrëzuar ankimin e paraqitur nga Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit të vitit të kaluar. Ndaj tij, SPAK ka ngritur 13 akuza, mes të cilave korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Sipas SPAK, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv të kryer në nëntë raste. Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet për korrupsion pasiv në nëntë raste.









