PRETENCA/ 13 vite burg për Rezart Taçin dhe konfiskim të 18 mln eurove – kjo është masa e dënimit të kërkuar nga SPAK për biznesmenin

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 13 vjet burg për biznesmenin Rezart Taçi, i cili ndodhet në arrati dhe po gjykohet në mungesë për akuzën e pastrimit të parave në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Kërkesa u paraqit nga prokurori i çështjes, Klodian Braho, i cili kërkoi gjithashtu konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të shumës prej rreth 18 milionë eurosh, të dyshuara si fonde të përfituara nga veprimtari kriminale të lidhura me mafien italiane.

Sipas SPAK, Taçi në bashkëpunim me shtetasit Artur Balla dhe Bledar Lilo, si dhe me shtetasit italianë Francesco Zummo, Fabio Petruzzella dhe Daniele Cestagalli, kanë ngritur një skemë komplekse financiare të kundërligjshme. Ata akuzohen se kanë vepruar në formën e grupit të strukturuar kriminal, duke realizuar transaksione të dyshimta përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.

Gjatë hetimeve paraprake është vendosur masa e sekuestrimit për shumën 18,399,941.50 euro, e bllokuar në një llogari bankare në vend.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.