Deputetët e Ramës i bëhen mburojë Ballukut – Balla pas Këshillit të Mandateve: Pezullimi është masë e mjaftueshme, vendimi i takon seancës plenare

Kreu i Grupit Parlamentar të Partia Socialiste e Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku u shqyrtua kërkesa e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Në një prononcim për mediat, Balla u shpreh se masa e pezullimit ndaj Ballukut është e mjaftueshme, duke theksuar rëndësinë e respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë.

“Diskutimi i sotëm dhe pyetjet e deputetëve të të dyja palëve hodhën dritë mbi shumë çështje që lidhen me elementin thelbësor, prezumimin e pafajësisë. Sipas nenit 30, askush nuk është i fajshëm pa një vendim të formës së prerë,” tha ai.

Balla theksoi se Këshilli i Mandateve nuk jep autorizimin përfundimtar, por vetëm harton raportin përkatës, ndërsa vendimi merret nga seanca plenare e Kuvendit. Ai bëri me dije se raporti i shumicës do të hartohet nga deputeti Ulsi Manja, ndërsa opozita do të paraqesë raportin e saj.

Sipas Ballës, në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar të PS-së do të diskutohet qëndrimi përfundimtar lidhur me kërkesën e SPAK, duke lënë të hapur debatin politik për çështjen në fjalë.