Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur të mos nisë hetime lidhur me kallëzimin e bërë nga Partia Demokratike e Shqipërisë ndaj Niko Peleshi, në cilësinë e tij si kryetar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve.
Peleshi u kallëzua nga PD për bllokim të mbledhjes së Këshillit, por pas regjistrimit të kallëzimit dhe kryerjes së verifikimeve paraprake, SPAK ka dalë në përfundimin se nuk ka elementë të veprës penale “shpërdorim detyre”.
Sipas burimeve mediatike, organi i akuzës ka vlerësuar se nuk rezultojnë shkelje ligjore nga ana e Peleshit në ushtrimin e funksionit të tij. Me këtë vendim, çështja konsiderohet e mbyllur në këtë fazë procedurale.









