Përplasja për imunitetin e Belinda Ballukut, avokati: Ka zbatuar masën dhe ka dorëzuar çdo dokument

Avokati Ardian Kalia, mbrojtës i zëvendëskryeministres së pezulluar Belinda Balluku, ka folur në mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet, ku po shqyrtohet kërkesa e Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit.

Gjatë fjalës së tij para deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, Kalia është shprehur se Balluku ka zbatuar masën e pezullimit dhe nuk është paraqitur më në detyrë që nga momenti i kërkesës. Sipas tij, ajo ka dorëzuar edhe çdo dokument personal.

“Ka zbatuar masën dhe s’ka shkuar në detyrë. Ka dorëzuar edhe çdo dokument personal”, mësohet të ketë deklaruar avokati para anëtarëve të këshillit.

Seanca po zhvillohet pa praninë e mediave, fakt që është kundërshtuar nga opozita, e cila kërkon transparencë të plotë dhe transmetim publik të diskutimeve.

Avokati i është drejtuar ligjvënësve me kërkesën që të mos miratojnë heqjen e imunitetit, duke theksuar se organi i akuzës duhet të provojë kushtet ligjore për ndryshimin e masës.

Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzohet nga SPAK për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në disa episode. Hetimet ndaj saj vijojnë.