Policia identifikon “grupin e zjarrit” në protestën e Sali Berishës – 18 të arrestuar dhe 27 të proceduar – nis hetim në gjendje të lirë për Klevis Balliun

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi se, pas veprimeve të para hetimore lidhur me incidentet gjatë protestës së organizuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë, janë arrestuar në flagrancë 18 persona dhe janë proceduar penalisht 27 të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar, një grup protestuesish dyshohet se kanë hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe institucioneve shtetërore, si dhe kanë kundërshtuar forcat e rendit që kishin marrë masa për garantimin e sigurisë dhe rendit publik.

Mes të arrestuarve janë shtetas të moshave nga 18 deri në 53 vjeç, përfshirë edhe tre të mitur. Autoritetet bëjnë me dije se hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit.

Po ashtu, materialet janë referuar në Prokurorinë e Tiranës, ku ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për deputetin demokrat Klevis Balliu, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Pamje të shpërndara në rrjete sociale nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, pretendojnë se deputeti shfaqet në afërsi të një grupi protestuesish me maska, të cilët mbanin shishe me lëndë djegëse. Çështja pritet të sqarohet në vijim nga organet hetimore.

Policia thekson se materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.