DEKLARATA/ Nuk do të rrezikohet pavarësia dhe sovraniteti – Zelensky: Ukraina gati për kompromise reale me Rusinë, por jo për ultimatume

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka dhënë detaje për negociatat e paqes me Rusi, duke konfirmuar se Kievi është i gatshëm të bëjë kompromise të vërteta, por refuzon çdo ultimatum nga Moska.

Në një intervistë për gazetën japoneze Kyodo News, Zelensky theksoi se Ukraina është e gatshme të flasë për ngrirjen e linjave aktuale të konfliktit si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme. Ai deklaroi se Rusia ka marrë rreth 20% të territorit ukrainas, dhe megjithëse ky është një kompromis i madh, vendi i tij nuk do të pranojë të rrezikojë pavarësinë dhe sovranitetin.

“Jemi të gatshëm për kompromise reale që respektojnë integritetin territorial të Ukrainës, ushtrinë dhe popullin tonë, por jo për ultimatume të përsëritura nga rusët,” shtoi Zelensky.

Ai shtoi se propozimet e Moskës shpesh janë më shumë ultimatum sesa oferta kompromisi dhe i konsideroi ato si forma të “terrorizmit diplomatiko-ushtarak”.

Zelensky theksoi gjithashtu se negociatat po zhvillohen me mbështetjen e SHBA-ve, duke nënvizuar rëndësinë e dialogut ndërkombëtar për arritjen e një paqe të qëndrueshme.