Paralajmërimi i fortë i SHBA – Ambasada në Tiranë publikon mesazhin e Rubios: Do t’u heqim vizën atyre që cenojnë sigurinë kombëtare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka shpërndarë në rrjetet sociale një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me një mesazh të qartë për vizitorët që hyjnë në SHBA.

Në reagimin e tij, Rubio thekson se çdo person, prania e të cilit konsiderohet kërcënim për politikën e jashtme apo sigurinë kombëtare të SHBA-ve, do të përballet me heqjen e vizës.

“Nëse identifikoj një vizitor në vendin tonë, prania e të cilit përbën kërcënim për politikën tonë të jashtme dhe sigurinë kombëtare, ne do t’ia heqim vizën”, thuhet në deklaratën e tij.

Deklarata u bë gjatë një konference për shtyp, ku Rubio sqaroi se masa vlen për këdo që hyn në SHBA si student, turist, gazetar apo me çdo status tjetër vizitori, nëse përfshihet në aktivitete që bien ndesh me interesat kombëtare amerikane.

Ai shtoi se në disa raste, revokimi i vizës mund të ndodhë edhe përpara se veprimi të realizohet, nëse autoritetet kanë informacion për qëllimet e vizitorit.

“Në fakt, nëse do ta dinim se do ta bënit, ndoshta nuk do t’ju kishim dhënë vizën”, u shpreh Rubio, duke nënvizuar qëndrimin e ashpër të administratës amerikane ndaj çdo rreziku potencial për sigurinë e vendit.