Komplot rus për atentate në Kiev? – 10 të arrestuar – zbulohet emri i një zyrtari në shënjestër

Autoritetet në Kiev kanë njoftuar se kanë zbuluar dhe parandaluar një komplot të dyshuar rus për vrasjen e zyrtarëve të lartë ukrainas. Sipas hetimeve, 10 persona janë arrestuar në Ukraina dhe Moldavia, të dyshuar se po përgatisnin atentate me pagesë që arrinte deri në 100 mijë dollarë.

Prokurori i Përgjithshëm ukrainas, Ruslan Kravchenko, deklaroi se operacioni u realizua në bashkëpunim mes autoriteteve ukrainase dhe moldave, duke zbuluar një grup të organizuar që synonte të kryente vrasje me kontratë ndaj figurave të njohura politike dhe publike.

Sipas tij, janë kryer rreth 20 kontrolle në territorin ukrainas, ku janë sekuestruar para, armë, lëndë shpërthyese dhe pajisje komunikimi që dyshohet se përdoreshin për lidhje me agjentë rusë.

Nga të arrestuarit, shtatë persona u kapën në Ukrainë, ndërsa tre të tjerë – përfshirë organizatorin e dyshuar të skemës – u arrestuan në Moldavi.

Autoritetet ukrainase kanë zbuluar emrin e vetëm një prej zyrtarëve të vënë në shënjestër: Andriy Yusov, i cili merret me komunikimet strategjike për ushtrinë ukrainase dhe koordinon shkëmbimin e të burgosurve me Rusinë.

Rasti pritet të përshkallëzojë më tej tensionet mes Kievit dhe Moskës, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar lidhjet e plota të rrjetit me strukturat ruse.