Osmani zbardh takimin me Ramën dhe Trump: Diskutuam për Hagën, morëm garanci të forta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zbuluar detaje nga takimi i zhvilluar me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus ka qenë çështja e Hagës dhe situata e katër ish-liderëve të UÇK-së, për të cilët është kërkuar nga 45 vite burg për secilin.

Në një intervistë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Osmani u shpreh e rezervuar për detajet e bisedës, duke theksuar se nuk është në interes të Kosovës të bëhen publike të gjitha diskutimet në këtë fazë.

“Kemi diskutuar. Ju kisha lutur për mirëkuptimin tuaj. Nuk besoj që është në interesin e Kosovës nëse japim më shumë detaje rreth kësaj. Mirëpo, dua të siguroj që i kemi diskutuar të dyja temat dhe kemi marrë garanci të fuqishme”, deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se si ajo ashtu edhe kryeministri Rama do të flasin më gjerësisht “kur të vijë momenti”, duke nënvizuar se dita e takimit ka qenë “jashtëzakonisht e mirë për Kosovën”.

Takimi trepalësh në SHBA vjen në një moment delikat për zhvillimet politike në rajon, ndërsa çështja e Hagës mbetet një nga temat më të ndjeshme për Kosovën.