Trump paralajmëron publikimin e dosjeve për UFO-t dhe alienët

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shprehur synimin për të urdhëruar departamentet dhe agjencitë federale që të gjejnë dhe publikojnë dosjet qeveritare që lidhen me alienët dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), duke iu përgjigjur një kërkese të kahershme të publikut amerikan.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump deklaroi se, për shkak të “interesit të jashtëzakonshëm”, do t’i kërkojë Sekretarit të Luftës dhe institucioneve të tjera përkatëse të nisin procesin e deklasifikimit të dokumenteve që kanë të bëjnë me jetën jashtëtokësore, fenomenet ajrore të panjohura dhe UFO-t.

“Do t’i urdhëroj të fillojnë procesin e gjetjes dhe publikimit të të dhënave qeveritare që lidhen me jetën jashtëtokësore dhe fenomenet ajrore të panjohura”, shkroi ai.

Përplasja me Obamën

Më herët, Trump akuzoi paraardhësin e tij, Barack Obama, për zbulim të informacionit të klasifikuar, pasi ky i fundit, gjatë një podkasti, deklaroi me tone ironike se alienët “ekzistojnë vërtet”.

“Nuk e di nëse alienët janë të vërtetë apo jo, por ish-presidenti demokrat bëri një gabim të madh”, u shpreh Trump.

Nga ana e tij, Obama, i pyetur për ekzistencën e alienëve, tha: “Ata ekzistojnë vërtet, por unë nuk i kam parë”, duke shtuar se, për aq sa ai di, nuk ka objekte nëntokësore të përdorura për t’i fshehur – një referencë ndaj Area 51, baza ushtarake në Nevada që prej dekadash është në qendër të teorive konspirative.

Nisma e paralajmëruar nga Trump pritet të rihapë debatin mbi transparencën e qeverisë amerikane në lidhje me fenomenet ajrore të paidentifikuara, një temë që ka tërhequr vëmendje të madhe në vitet e fundit pas publikimit të disa raporteve të Pentagonit mbi UAP (Unidentified Aerial Phenomena).