Rama kërkon vëmendje për Kosovën në Bordin e Paqes – kritikon procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes u zhvillua në ambientet e Institutit Amerikan të Paqes “Donald J. Trump” në Washington D.C., me pjesëmarrjen e liderëve botërorë dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë. Seanca u hap me një fjalë përshëndetëse nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pas fotos familjare të pjesëmarrësve.

Gjatë takimit, u diskutuan iniciativa globale për paqen, sigurinë, lirimin e pengjeve, nevojat humanitare, rindërtimin e zonave të konfliktit, forcimin e institucioneve dhe krijimin e mekanizmave financiarë transparentë, përfshirë Fondin Sovran të Pasurisë. Axhenda përfshinte gjithashtu prezantime mbi teknologjinë, zinxhirët e furnizimit dhe rezultatet konkrete që synohen në terren.

Në fjalën e tij, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi rolin e Shqipërisë në këtë nismë ndërkombëtare dhe shprehu mbështetjen e vendit për përpjekjet globale për paqe dhe stabilitet. Ai nënvizoi se Shqipëria jo vetëm kontribuon financiarisht, por edhe me ekspertizë profesionale për rindërtimin dhe zhvillimin.

Rama solli në vëmendje edhe çështjen e Kosovës, duke e cilësuar procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si të turpshëm. Ai deklaroi se ish-presidenti i Kosovës u pengua të nënshkruante marrëveshjen me Presidentin Trump dhe sot ndodhet prej vitesh në paraburgim në Hagë.

“Disa këtu duhet të ndihen të turpëruar për atë proces. Vetëm pak muaj na ndajnë nga një burrë që qëndroi kundër spastrimit etnik”, u shpreh Rama, duke kërkuar që Bordi i Paqes të merret më seriozisht me çështjen e Kosovës.