Trump e përsërit: “Zgjidha konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë” – Mesazh presidentes Osmani : “Nëse keni probleme, më telefononi”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka komentuar edhe çështjen mes Kosovës dhe Serbisë gjatë fjalës së tij në takimin inaugurues të Bordit të Paqes në Uashington.

Në një deklaratë që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve, Trump u shpreh se ai kishte zgjidhur konfliktin mes dy vendeve, duke e cilësuar ndërhyrjen e tij si një sukses diplomatik.

“E zgjidha konfliktin mes Kosovës dhe Serbisë. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai, përpara se t’i drejtohej drejtpërdrejt presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me tone të drejtpërdrejta, presidenti amerikan shtoi: “Nëse nuk shkoni mirë, më merrni në telefon – do ta zgjidhim.”

Deklarata e Trump vjen në një moment kur dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në Ballkan, ndërsa mesazhi i tij u interpretua si një sinjal për përfshirje të mëtejshme të SHBA-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.